Pages


Sunday 18 April 2010

Ai Ajo

(Ai do të vijë një ditë)

Unë e di
Ai do të vijë me shiun, me erën...
Nga thatësira e padurueshme e tokës
Që pret të mbarset me jetë
Gjithë portat do jenë hapur

Ai e ka filluar ecjen e tij drejt meje
Shkujdesur qesh që larg
Befas figura e tij do zmadhohet
Qartësohet
Dhe piklat e ujit do tejcojnë përmasën
E mbërritjes së tij
Nga mungesa.

Për një kohë të gjatë
Unë s’do ta njoh dot
Aq shumë harresë do kem thithur
Duke e dëshiruar.

(Ajo do të vijë një ditë)

Kam përshtypjen se do jetë verë
Kur ajo do të vijë
Një pikë do shfaqet në horizont
Kur unë pa mendje do jem
Përhumbur nën një diell djegës.

Do ecë me hap të ndrojtur
Heshturazi,
Dhe për një kohë të gjatë do mbetet
Një pikë e vogël në sytë e mi.

Me qetësi do kërkojë një rrugë, një shenjë
Do gjejë një shteg për të m’u afruar
Dhe do hyjë brenda.

Dhe atëherë unë do ta njoh në cast,

Pa e dëshiruar
Pa e ditur
Pa e pritur
Do ta njoh.

© Erida Gjini 2010

Saturday 17 April 2010

Rozafa

Ata nxinin
Teksa e murosnin
Qindra vjet më parë.

Asaj nga gjiri
qumështmjaltë i rridhte
ende, si zakonisht.

Gjaku në trup i mpiksej
Nga sytë lotë i pikonin
Si gurët zinin vend mbi tokë.

Dikur kështjellat ndërtoheshin vetëm kështu
Ëndrra-zhgjëndrra mbi trupin e të dashurve
Thonë se duhej bardhësia e saj
Të largonte terrin, shpellat…

Bardhësia e saj mbeti e ngujuar
Aty-
Mes murit dhe djepit
Varr i hapur...
Hajmali...
Ankth...

Legjendat më pas i rrëfyen të fortët
Tani s’heshtnin më
Tregonin për vetëmohimin
Dhe ngjyrën e flokëve të saj

Ajo s’foli kurrë.

© Erida Gjini 2010