Pages


Friday 15 September 2006

Metamorfoza blu e qiejve

Metamorfoza blu e qiejve
Fillon me ty,
Kur ti hap sytë në agim,
Dhe ajri bëhet me ngjyra.
Dhe kur ti merr frymë,
Botës i shtohen lulet
Nuk e di nga mbijnë-
Ndoshta i mbruajnë hapat e tu...
Edhe rrugëve më bosh në dimër
U zbresin tinguj, besomë
Kafenetë gumëzhijnë më shumë,
Gjellët shijojnë më shumë,
Edhe uji.
Mendimet paqësohen si deti
Kur gishtat e tu luajnë piano me kacurrelat e mi,
Dhe kështu
Notat e tua përshkojnë gjithë trupin e ditës,
Vizatojnë trajektore marramendëse mbi lëkurën e natës,
E koha përvetëson trajta të reja
Sikur rigjenerohet me cdo gjest tëndin.
Dhe kur ti lexon në mesnatë reticencat e mia pa zë
Sikur ia lehtëson peshën gjithë botës,
Farfurit ëndrra,
Endrra, flatra zogjsh nëpër yje.

© Erida Gjini 2006