Pages


Thursday 20 February 2003

Kur vjen dimri

Jashtë
Ajri mban erë kërcunjsh që digjen,
Ajri dimëror…
- dua të them: I ftohti.

Pak njerëz
Ose silueta njerëzore,
Fare pak
I afrohen njëri-tjetrit.

Dikush kërkon një cakmak për
Të ndezur cigaren
Dhe ikën.

Me stinët,
Ndërrohen bravat e shpirtit
Bëhemi më të ngurtë
- dua të them: më të largët.

Është dimër.
Brenda strukemi,
Të dehur nga avujt e cajit
Dhe dëgjojmë kërcunjtë që digjen…

Jashtë,
E sidomos brenda.

© Erida Gjini 2003