Pages


Wednesday 18 April 2001

Një fletë

Palosmë si një faqe a fletë,
Në librin ku do të kthehesh përsëri,
Edhe pse vec në mendjen tënde ndoshta,
Edhe pse i tejlagur nën shi.

Pimë si cigaren e fundit,
Para se gjumi të puthë sytë e tu,
Edhe pse vetëm me pishmane ndoshta,
Edhe pse ndoshta vec netëve blu.

Tërhiqmë me vete akoma kur shkon,
Si bagazhin e rëndë para nisjes,
Drejt një qyteti a shteti a bote,
Edhe pse me mua s’do të deshe të ikje.

Fishkëllemë si një melodi verore,
Që kokëfortë të ftohtit i qëndron,
Edhe kur dimri të jetë duke ardhur
Dhe shkelur të vjetrat këngë tek kalon.

Bjermë ndonjëherë si notës lëkundëse,
Mendimit pa skaj, pa fund e fillim,
Edhe pse kjo humbellë shumë mund të ishte për ty,
Gjithmonë toka fikse është i yti qëndrim.

Shpërhapmë si psherëtimë të pakapshme,
Mes ajrit të fatkeqësive të botës,
Edhe pse mund të ngjitej lart në qiell,
Duke të lënë prapë trishtimin buzë gotës.

Shkruamë si një histori a përrallë,
Që s’munde dot ta harroje kurrë,
Dhe nëse do të bëje vec shkarravina mbi fletë
E më pas do ta flakje të binte mbi drurë.

Më në fund, po heq dorë: palosmë si fletë,
Në librin e jetës së një njeriu që ish…
E që dikur nëpër tym e humbi atë,
Ndoshta për të mos u kthyer më te fleta sërish.

© Erida Gjini 2001